Gëzim në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”! Lindin trinjakë, ministrja Koçiu uron prindërit dhe stafin mjekësor

Një ngjarje e veçantë dhe e gëzueshme ka ndodhur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku kanë ardhur në jetë tre vajza trinjakë, duke sjellë lumturi të madhe në familjen e tyre dhe mes stafit mjekësor.

Lajmin e ka ndarë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila në një postim në rrjetet sociale ka publikuar edhe fotot e para të foshnjave.

“Tre engjëj të vegjël, Iliriana, Amaya dhe Cataleya, kanë ardhur në jetë, duke sjellë gëzim të pafund për prindërit dhe stafin mjekësor që ka ndjekur me përkushtim këtë lindje të veçantë. Urime të përzemërta familjes së re dhe një jetë të gjatë, të lumtur e të bekuar për trinjaket e vogla”, shkruan ministrja Koçiu.