“Gërdeci”, shtyhet sërish nga GJKKO, Mediu: Dëshmitarët refuzojnë të flasin!
Në Gjykatën e Posaçme u mbajt këtë të mërkurë seanca e radhës për ish-ministrin Fatmir Mediu, i cili është nën hetim për çështjen e Gërdecit. Seanca nisi në orën 9:00 dhe ka zgjatur rreth 40 minuta.
Në seancën e sotme ish-administratori i kompanisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji u paraqit por nuk pranoi të fliste, ndërsa kërkoi që të lexoheshin deklarimet e mëparshme!
Nga ana e tyre, si Prokuroria ashtu edhe avokatët kërkuan të administrohen në dosje dëshmitë që Delijorgji ka dhënë si i pandehur dhe si person në hetim.
Edhe në këtë seancë nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-Sekretarja e MInistrisë që drejtohej nga Aldo Bumçi.
Po ashtu, Denis Hajdari, ish-funksionar nuk u paraqit në sallën e gjyqit, dhe për këtë arsye prokurori i çështjes kërkoi të bëhet shoqërimi i detyruar i tij.
Gjithashtu, as ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha nuk erdhi në seancën e sotme dhe nga ana e saj Prokuroria thotë se vijon kërkimi për të.
Në seancën e sotme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i kërkoi gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë në lidhje me mënyrën e marrjës së dëshmisë së shtetasve amerikanë, duke theksuar edhe njëherë se duhet të bëhet përmes video-konferencave.
Gjykata tha se deri tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letër-porosi.
Në përfundim u vendos që seanca e radhës të mbahet më datë 9 prill, në orën 09:00.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu deklaroi se emrat që janë thirrur si dëshmitarë në sallën e gjyqit, janë marrë formalisht.
Ai tha për mediat se dëshmitarët e prokurorisë refuzojnë të dëshmojnë, çka tregon se edhe prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë.
“Besoj është gjëja më e drejtë që nëpërmjet pyetjeve të dalë e vërteta. Letërporositë janë një akt formal. Nuk e kuptoj pse nuk u bë në atë formë kur drejtësia amerikane e ka mundësuar.
Duket që prokuroria nuk po jep asnjë të dhënë të re. Dëshmitarët e prokurorisë refuzojnë dëshminë. Mospërgjigja e tyre tregon që edhe prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë”, tha ai.
Kujtojmë se Mediu po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008.