“Gërdeci”/ Në pritje të pretencës, shtyhet seanca gjyqësore në GJKKO për ish-ministrin Mediu
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndonëse sot do të duhej të zhvillonte seancën gjyqësore, për të dhënë pretencën për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjyqi është shtyrë.
Shkak i shtyrjes është bërë mungesa e avokatëve të Mediut, Henrik Ligori që pretendonte se ishte sëmurë dhe Ardian Visha, që ishte në proces në Durrës. Seanca e radhës u caktua më datë 7 qershor, në orëm 14:00. Ndërkohë, Gjykata caktoi një avokat për këtë çështje, Artan Simoni.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzon Mediun për “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” lidhur me dosjen e shpërthimit në Gërdec. Dy prokurorët që do të jepnin pretencën janë Altin Dumani dhe Arben Kraja, njëri kreu i SPAK, tjetri paraardhësi i tij.