“Gërdeci” në GJKKO/ Sot seanca e radhës për ish-ministrin Fatmir Mediu

Në Gjykatën e Posaçme prej orës 09:00 ka nisur seanca e radhës për çështjen “Gërdeci”.

Kujtojmë se në seancën e kaluar të 27 marsit, u paraqit Mihal Delirogji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”, por nuk pranoi të dëshmonte duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji.

Më pas avokatët dhe prokuroria kërkuan që të administrohen në dosjen gjyqësore dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur.

Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdari dhe Luan Hoxha.

Për Denis Hajdarin, prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur. Ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi.

Debat në seancën e shkuar shkaktoi edhe mënyra se si do të merret dëshmia e 5 shtetasve amerikanë.

Vendimi i gjykatës për pyetjen e tyre mes letërporosisë u kundërshtua nga mbrojtja e Mediut, të cilët kërkuan pyetjen e tyre përmes video-konferencës.

Në seancë vetë ish-ministri Fatmir Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikanë, me video-konferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letër-porosi.

“Besoj në gjithë këtë proces mos përgjigja tregon qartë se prokuroria i ka sjellë si dëshmitarët formal pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën”, tha Mediu.

“Gërdeci” në GJKKO/ Sot seanca e radhës për