Gazetat greke për zgjedhjet e 11 majit: Diaspora votoi për Ramën, dominuan çështjet ekonomike dhe perspektiva europiane

Gazeta greke “TA NEA” i ka kushtuar një artikull fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se diaspora shqiptare votoi në shumicë për kryeministrin Edi Rama.

Sipas artikullit, rezultatet paraprake tregojnë se socialistët kanë triumfuar në shumicën e “bastioneve” minoritare në jug të vendit, si Dropulli, Finiqi, Himara dhe zonat përreth Sarandës, ku mbi 65% e votave të regjistruara nga diaspora kanë shkuar në favor të PS-së.

Artikulli thekson se nga 245,000 shqiptarë të regjistruar për të votuar nga jashtë, vetëm 194,000 shfrytëzuan këtë të drejtë, dhe mes tyre vetëm një në tre votues mbështeti Sali Berishën, ndërsa dy të tretat zgjodhën të mbështesin Ramën, i cili gjatë fushatës përqendroi mesazhet e tij tek forca e krenarisë kombëtare dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas analistëve grekë, vota e diasporës u ndikua më shumë nga çështjet ekonomike dhe premtimet për një të ardhme më të mirë sesa nga akuzat për korrupsion dhe mungesë transparence, që ishin fokusi kryesor i fushatës së Berishës.

Ndërkohë, gazeta “Kathimerini” shkruan se, pavarësisht fitores së socialistëve, rezultati ngre shqetësime për funksionimin e demokracisë në Shqipëri, duke parashikuar një dobësim të opozitës dhe rritje të autoritarizmit të qeverisë Rama. Gazeta thekson se minoriteti grek del i dëmtuar nga këto zgjedhje dhe se ka ardhur koha për një diskutim të sinqertë se ku qëndron problemi dhe pse komuniteti grek në Shqipëri po përballet me sfida të vazhdueshme.

Pavarësisht tensioneve, burime diplomatike greke dhe shqiptare raportojnë se Tirana dhe Athina po punojnë për të përmirësuar marrëdhëniet e ndërsjella, me ministrin e Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, që pritet të vizitojë Athinën më 3 qershor, për të diskutuar çështjet e hapura mes dy vendeve.