Gazetarja Aida Topalli: Policia ka rritur efikasitetin në zbardhjen e ngjarjeve kriminale, i ka të gjitha kapacitetet

Gazetarja Aida Topalli ka qenë e ftuar në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arber Hitaj, ku ka komentuar mbi efektivitetin e Drejtorive të Policisë në zbardhjen e ngjarjeve kriminale në Shqipëri.

Gjatë intervistës, Topalli u shpreh se së fundmi policia shqiptare ka filluar t’u japë një drejtim më të shpejtë ngjarjeve kriminale, veçanërisht atyre të karakterit të hakmarrjes mes grupeve kriminale, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

“Kjo ka ardhur si rezultat i një vullneti të mirë, pasi policia shqiptare, sidomos vitet e fundit, i ka të gjitha kapacitetet për të zbardhur ngjarjet e rënda kriminale. Nuk mungojnë pajisjet përgjuese ambientale, kamerat e sigurisë dhe informacionet që policia ka pasur dhe ka aktualisht. E gjitha që nevojitet është një vullnet i mirë,” tha Topalli.

Ajo theksoi se ky vullnet nuk është rezultat i veprimeve të një punonjësi apo hetuesi të thjeshtë policie, por nis nga kupola e drejtuesve dhe shtrihet deri në drejtoritë vendore të qarqeve. Sipas saj, këto struktura kanë treguar se janë të afta të përdorin metoda efektive për zbardhjen e rasteve, si rikuperimi i të dhënave nga automjete të përdorura në krime.

“Kur ka një punë voluminoze dhe vullnet të mirë, ngjarjet kriminale zbardhen. Dhe çfarë ndodh në këtë rast? Grupet kriminale fillojnë të stepen, pasi askush nuk dëshiron të përfundojë pas hekurave,” shtoi ajo.

Topalli gjithashtu vuri në dukje se mungesa e vëmendjes dhe zbardhshmërisë në vitet e kaluara ka krijuar hapësirë për aktivitetet kriminale në vend, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit në hetimin dhe zgjidhjen e ngjarjeve të rënda.

“Rritja e përkushtimit për zbardhjen e këtyre ngjarjeve është një hap thelbësor drejt frenimit të veprimeve kriminale dhe kthimit të sigurisë në Shqipëri,” përfundoi Topalli.