Gazetari i New York Times përgënjeshtron Berishën: Akuzat për pagesë nga Rama janë të rreme

Gazetari i New York Times, Kenneth P. Vogel, ka mohuar akuzat e ngritura nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pretendoi se kryeministri Edi Rama ka paguar 150 mijë euro për një artikull që fliste mbi kontraktimin e Chris LaCivita si drejtues i fushatës elektorale të PD-së.

Në një postim në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Vogel ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar të pabaza.

“Sali Berisha, lideri i opozitës shqiptare, duket se po akuzon kryeministrin shqiptar Edi Rama se më pagoi mua (ose @nytimes) 150 mijë euro për të shkruar një histori mbi punësimin e Chris LaCivita nga partia e Berishës. Akuza e tij është e rreme,” – shkruan Vogel.

Deklarata e gazetarit vjen pas akuzave të Berishës, i cili në një konferencë për shtyp tha se artikulli ishte i sponsorizuar nga kryeministri Rama.

“Dy ditë më parë ai pagoi, vetë apo nëpërmjet të tjerëve, 150 mijë a sa mund të ketë kushtuar ajo hapësirë në New York Times kundër meje. Iu kthye në bumerang. Ky nuk ishte artikull i sponsorizuar, ky ishte artikulli i të vërtetave,” – tha Berisha, duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë politike dhe të nxitura nga ndikimi i George Soros.

Ky zhvillim ka shtuar tensionet mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa reagimi i gazetarit pritet të ndikojë në debatin politik të ditëve në vijim.

Pjesë nga artikulli:

Chris LaCivita, një strateg republikan që ndihmoi në drejtimin e fushatës së Presidentit Trump, po këshillon një parti opozitare konservatore në Shqipëri të kryesuar nga një politikan i cili është përballur me akuza për korrupsion nga Departamenti i Shtetit dhe prokurorët në vend.

LaCivita po punon për Partinë Demokratike të Shqipërisë përpara zgjedhjeve parlamentare në maj, kur do të përpiqet të fitojë përballë Partinë Socialiste të krahut të majtë në pushtet.

Në mesazhet me tekst për The New York Times, zoti LaCivita e karakterizoi punën e tij si një zgjatje të ndihmës së tij për zotin Trump.

“Unë po eksportoj MAGA – Bëje Shqipërinë të Madhe përsëri!” ka shkruar Z. LaCivita.

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë është Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër i cili po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronash. Administrata Biden vendosi sanksione ndaj zotit Berisha në vitin 2021 për “korrupsion të konsiderueshëm”, sipas një deklarate të ish-sekretarit të shtetit Antony J. Blinken, i cili e akuzoi atë për shpërdorim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.

LaCivita argumentoi se akuzat ndaj zotit Berisha ishin të motivuara politikisht dhe sugjeroi që përvoja e politikanit shqiptar të përafrohet me atë të zotit Trump.