“Garancia Rinore” në Tiranë, mundësi e re për fëmijët në konflikt me ligjin

Programi më i madh i mbështetjes për të rinjtë në Shqipëri, “Garancia Rinore”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i implementuar nga Zyra e Punës Tiranë, tani përfshin edhe të miturit që kanë qenë në konflikt me ligjin. Ky program synon t’u ofrojë një shans të dytë përmes arsimit, formimit profesional dhe punësimit, duke ndihmuar në riintegrimin e tyre në shoqëri.

Zyra e Punës Tiranë ka nënshkruar një marrëveshje me Qendrën për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) për të krijuar një angazhim konkret ndaj kësaj kategorie të të rinjve, duke i larguar nga sjelljet kundraligjshme dhe duke i orientuar drejt një të ardhmeje më të sigurt.

Çfarë ofron “Garancia Rinore”?
Të rinjtë që bëhen pjesë e këtij programi përfitojnë një sërë mundësish për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, si:
• Referim drejt shkollave të mesme, shkollave profesionale apo universiteteve për të vazhduar ose rifilluar arsimin.
• Praktika profesionale dhe përvoja pune për zhvillimin e aftësive praktike.
• Mundësi punësimi në bashkëpunim me sektorin publik dhe privat.
• Kurse profesionale për të mësuar dhe për t’u specializuar në fusha të ndryshme.
• Mbështetje për vetëpunësim dhe krijimin e bizneseve të reja.

Të miturit që kanë lënë pas një dënim penal përballen me sfida të mëdha për t’u integruar në shoqëri, duke u përballur shpesh me stigmatizim dhe vështirësi në arsim e punësim. Programi “Garancia Rinore” synon të kapërcejë këto pengesa dhe të ofrojë mbështetje për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për këta të rinj.

Ky është një hap konkret drejt ndryshimit, duke dëshmuar se me mbështetjen e duhur, çdo i ri mund të ndërtojë një jetë të re dhe të japë kontribut pozitiv në shoqëri.