“Fustanin e mora borxh, këpucëve u futa gazeta” – rrëfimi i rrallë i Parashqevi Simakut: Më dridhej trupi kur…
Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, ka ndarë një rrëfim të rrallë për gazetarin Blendi Fevziu në një intervistë të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kujdesshme në çdo detaj dhe me energji pozitive, këngëtarja e mirënjohur foli për herën e parë që doli në skenë, për vështirësitë, emocionet dhe sakrificat e fillimit të karrierës.
Simaku kujtoi momentin kur në dhjetor të vitit 1981, iu dha një duet me Hysni Zelën, por gjithçka ndryshoi pas lajmit tronditës për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, që solli edhe anulimin e përkohshëm të festivalit. Ajo rrëfen se ndonëse atmosfera ishte e zymtë dhe publiku i përmbajtur, ajo arriti të ngjitet në skenë për të dubluar Irma Libohovën, në një performancë që nuk e harroi kurrë.
“Në fillim të dhjetorit 1981, më japin një duet me Hysni Zelën. Një javë para na vjen urdhri që nuk do bëhej festivali se Mehmet Shehu vrau veten. Ishte një dramë e madhe, se ne në Kavajë nuk ishim politikanë. Ne vetëm Allahun njohim, kështu jam rritur. Dola, për fat të keq ose për fat të mirë, unë duhet të dubloja Irma Libohovën. Edhe publiku ishte pak i zymtë, me frikë. E duartrokitën këngën e Krajkës, ai ishte gjithmonë modern. Dola e dyta unë, këndova dhe më kthyen dy herë të përshëndetesha.
S’më njihnin fare! Xhaxhi Xhemali, byrazer i babës tim, nusja e tij Antigoneja nga Gjirokastra. Ajo ishte martuar me një fustan me lule dhe më dha fustanin e saj. Këpucët, më kanë çuar te garderoba e Operës e Baletit dhe kam veshur me gazeta këpucët llustrafinë të Edit Mihalit. Po ecja aty para se të më dilte emri. Vjen Alida Hysku e më tha hë mi mos ki frikë se shumë mirë do dalësh. Unë po dridhesha, në atë kohë edhe Vaçe Zela dridhej, më tregonte Krajka. Irma e pyet Agim Krajkën, i thotë pse s’më the se ajo është këngëtare shumë mirë”, u shpreh Simaku.