“FUSHATË MEMESH”/ Nga gafat e Berishës, Lapajt, shpërthimet e Ramës dhe “thirrjet” e Bashës…

Nga Redaksia e REPLIKË

Muaji i fushatës së zgjedhjeve të 11 majit u shoqërua me akuza, kundërakuza, gafa, meme, gabime, fyerje, shprehje të reja në fjalor, epitete, krahasime e shumë e shumë të tjera.

Berisha nga njëra anë në pothuajse çdo takim, bëri gafa në shifra dhe përqindje, që u përkthyen në meme rrjetesh. Nuk dihet nëse kjo ishte një metodë e tij për të kapur trendy-n e TikTok, si një sfidë dhe sulm ndaj kryeministrit dhe kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, për shkak të vendimit që mori për mbylljen e rrjetit social në vendin tonë për një vit me radhë.

Nga ana tjetër kryeministri i vendit nuk ishte më pak viral. E nisi me “bufin e kënetës” dhe pasoi me ngritje zëri e kritika ndaj qytetarëve nëpër takimet elektorale.
Lulzim Basha zgjodhi një formë jo pak interesante për të tërhequr vëmendjen dhe për t’u futur në listën e memeve të kësaj fushate zgjedhore.
“O Rame ku i ke shokët”. Ishte kjo pyetja që shoqëroi pjesën më të madhe të videove të tij të postuara në rrjete sociale.
Nga ana tjetër për një periudhë jo fort të shkurtër, kreu i qeverisë, njëherësh kreu i PS, iu përgjigj “dhëmbë për dhëmbë” në ciklin “Zgjimi i Lulit”.
Më shumë sesa rastësi, kjo dukej si një metodë për të përqendruar vëmendjen tek Basha, duke i rritur atij pikë në publik, që nesër mund të përkthehen në votë. Dhe si një formë sabotimi për PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
As nga radhët e Partive të vogla nuk munguan gafat. Lapaj u pa në një takim teksa ngatërronte llogaritë matematikore.

Fushatës së partive të mëdha, si një kopje e fushatës së zgjedhjeve të fundit në Amerikë, iu bashkuan edhe dy rreperët, dikur armiq me njëri tjetrin, pastaj miq e sot le të themi janë njëfarë kundërshtarësh politikë. Noizy dhe Stresi tërhoqën jo pak vëmendjen e kësaj fushate, njëri në radhën e socialistëve e tjetri në radhët e demokratëve.

Nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes edhe videot virale të kandidates së Fierit, Zegjine Caushi, në fushatën e saj virtuale me kundërshtarin politik atje, Gazmend Bardhi…
Kjo fushatë prodhoi shumë, së paku për meme rrjetesh. Por se sa do të përkthehet në votë, mbetet për t’u parë nesër në pjesëmarrjen në votime, e më pas, në procesin e numërimit.