Fushata 2025/ Tushaj: Qytetarët të bllokojnë rrugët nëse premtimet tona nuk mbahen

Kandidati i PD-ASHM, pjesë e listës së hapur në qarkun e Lezhës, Viktor Tushaj, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” me gazetaren Sidorela Gjoni, prezantoi platformën e tij të detajuar për zhvillimin ekonomik, social dhe infrastrukturor të qytetit dhe zonës përreth.

Në një intervistë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, Tushaj theksoi se angazhimi i tij buron nga një lidhje e thellë personale me Lezhën dhe njerëzit e saj:
“Dashuria për një qytet nuk lind tak fak. Lidhesh hap pas hapi me klimën, njerëzit, jetesën,” tha ai.

Zhvillimi rural dhe agroturizmi: Rikthimi i jetës në fshatra

Një ndër prioritetet kryesore të Tushajt është zhvillimi i agroturizmit dhe rikthimi i jetës në zonat rurale që sot përballen me shpopullim.

“Zona të tëra janë shpopulluar. Është katastrofë kur sheh shkolla të ndërtuara 5-6 vjet më parë që sot janë bosh. Nëse bëjmë rrugët dhe infrastrukturën, emigrantët do të rikthehen dhe do të ndërtojnë,” u shpreh ai.

Parku industrial dhe punësimi masiv

Një tjetër projekt ambicioz është krijimi i një parku industrial në Veri të qytetit të Lezhës, në një zonë me 60 hektarë të disponueshme.

“Nëse ndërtojmë parkun industrial, punësojmë mbi 3,000 vetë. Ky park do të ishte një motor ekonomik që do të kualifikonte të rinjtë në shkolla profesionale dhe do të nxiste zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit,” deklaroi Tushaj.

Ai zbuloi se kishte siguruar edhe mbështetje dhe financime nga kompani të huaja gjatë udhëtimeve të tij në Europë.

Ndërtime të kontrolluara dhe legalizime, jo prishje pa plan

Tushaj kritikoi kaosin urbanistik dhe prishjet pa strategji, duke propozuar një qasje të re: legalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“I lejojmë njerëzit të ndërtojnë dhe më pas shkojmë t’u prishim shtëpitë. Kjo është një fatkeqësi. Objektet duhet të legalizohen dhe ndërtimet duhet të orientohen drejt strategjive të zhvillimit të qëndrueshëm,” theksoi ai.

Në rast të ndërhyrjeve të domosdoshme, ai kërkoi që të garantohet dëmshpërblim i drejtë financiar dhe psikologjik për qytetarët.

Mbështetje për bujqësinë dhe “Made in Albania”

Një shtyllë tjetër e rëndësishme e programit të Tushajt është bujqësia dhe promovimi i prodhimeve shqiptare.

“Është e tmerrshme të shohësh tokat pjellore të Zadrimës dhe Torovicës të papunuara. Është detyrë e shtetit të ndihmojë fermerët me farëra, naftë dhe garantimin e shitjes së prodhimit,” tha Tushaj.

Sipas tij, një politikë e tillë do të nxiste jo vetëm zhvillimin e sektorit bujqësor, por do të ndikonte pozitivisht edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare.

Energji e pastër dhe mbështetje për panelet diellore

Për një të ardhme më të gjelbër, Tushaj premton mbështetje për investimet në energjitë e rinovueshme, veçanërisht për panelet diellore.

“Unë jam ndër të parët që kam vendosur panele diellore në shtëpinë time. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për energjinë diellore dhe të erës,” deklaroi ai.

Ai kërkoi që qeveria të mos pengojë investimet në këtë fushë duke ndërtuar linjat e nevojshme të transmetimit të energjisë.

Premtimi final: Nëse nuk mbahen premtimet, qytetarët të bllokojnë rrugët

Në fund të intervistës, Viktor Tushaj dha një mesazh të fortë për qytetarët:

“Nëse një nga këto pika që premtoj nuk realizohet, ftoj qytetarët të bllokojnë të gjitha rrugët e Shqipërisë. Ne kemi për detyrë të fusim Shqipërinë në shinat e normalitetit, me rroga, pensione dhe një minimum jetik dinjitoz për çdo qytetar,” përfundoi ai.