Fundjavat dhe ditët e festave, rikthehet procedura e lehtësuar në kufirin Kosovë-Shqipëri

Në pikën e përbashkët kufitare të Morinës është rikthyer procedura e thjeshtëzuar për kalimin e kufirit pa kontrolle për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.

Procedura është e vlefshme vetëm për fundjavat dhe ditët e festave, të paktën deri në datën 1 mars të vitit të ardhshëm. Në policinë kufitare të Shqipërisë pohojnë se kjo procedurë e thjeshtëzuar sipas protokollit ndërqeveritar u rikthye pas një ndërprerjeje nga data 1 deri më 31 tetor

Ndërsa nga data 1 mars hyn në fuqi sërish procedura pa kontrolle për kategoritë e mësipërme për një periudhë nëntëmujore, e cila u aplikua këtë sezon turistik. Ndërkohë edhe këtë të shtunë shumë qytetarë të Kosovës dhe automjete kanë kaluar kufirin drejt Shqipërisë, fluks i cili krijonte herë pas here kolona në kufi.

Kjo edhe për shkak të numrit të automjeteve me targa të huaja, të cilat u nënshtrohen kontrolleve.