Fundi i termometrave me zhivë! Shqipëria ndalon përdorimin e pajisjeve me merkur deri në fund të 2025
Deri në fund të vitit 2025, të gjitha termometrat me zhivë dhe matësit e presionit të gjakut që përmbajnë merkur duhet të hiqen nga përdorimi në Shqipëri. Kjo masë përfshin jo vetëm pajisjet që ndodhen në shtëpitë e qytetarëve, por edhe ato që përdoren në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike apo private.
Ky detyrim rrjedh nga Konventa e Minamatës për Merkurin, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Konventa ndërkombëtare synon reduktimin dhe eliminimin e përdorimit të merkuri në pajisjet mjekësore, duke e zëvendësuar atë me alternativa të sigurta për shëndetin dhe mjedisin.
Sipas ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), merkuri është një substancë toksike që, edhe në sasi të vogla, mund të avullojë dhe të përhapet në ajër, duke shkaktuar ndotje në distanca të mëdha. Pasi hyn në mjedis, ai bioakumulohet në zinxhirin ushqimor, veçanërisht në peshqit dhe organizmat e tjerë ujore, duke rrezikuar shëndetin e njeriut përmes konsumit ushqimor.
Studimet kanë treguar se ekspozimi ndaj merkurit dëmton sistemin nervor, funksionet e veshkave dhe zhvillimin e trurit te fëmijët, ndërsa është gjithashtu i rrezikshëm për gratë shtatzëna.
OBSH ka nisur tashmë një projekt në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për zbatimin e plotë të detyrimeve të Konventës së Minamatës, përfshirë ndalimin e importit, përdorimit dhe qarkullimit të pajisjeve mjekësore që përmbajnë merkur.