Fund parkimeve të paligjshme në Vlorë, Policia dhe IMT lirojnë hapësirat publike dhe vendosin qindra gjoba
Një hapësirë publike midis pallateve në lagjen “Rilindja” në Vlorë, e cila ishte zaptuar dhe përdorej në mënyrë të paligjshme si parkim automjetesh, është liruar pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Veprimi vjen pas ankesave të banorëve, të cilët kërkuan akses të lirë në zonën e bllokuar.
Në të njëjtën kohë, strukturat e Policisë së Vlorës dhe Komisariatit të Policisë Vlorë kanë intensifikuar kontrollet në qytet dhe në zonat turistike, për të ndëshkuar parkimet e gabuara që pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve. Gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur qindra masa administrative dhe janë larguar me karrotrec mjetet që kishin zënë trotuare apo rrugëkalime.
Zonat më problematike rezultojnë “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare dhe akse të tjera me fluks të lartë për shkak të sezonit veror. Policia apelon për respektimin e hapësirave publike dhe paralajmëron se çdo shkelje do të ndëshkohet me gjoba, heqje me karrotrec, e deri në ndjekje penale për pengim të qarkullimit (neni 293 i Kodit Penal).