“Fshihu se erdhi policia”, zbardhen bisedat mes Çyrbja dhe grupeve kriminale

Të tjera detaje rreth bisedave që ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja shkëmbente me grupet kriminale. Nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin Sky Ecc, SPAK ka zbuluar se Çyrbja njoftonte personat në kërkim ndërkombëtar t’i fshiheshin autoriteteve ligjzbatuese.

Sipas SPAK, ish-deputeti ka nxjerrë të dhënat sekrete duke iu ardhur në ndihmë grupeve kriminale që t’i shpëtonin drejtësisë. SPAK ka evidentuar komunikimet në Sky mes Çyrbjes dhe Altin Hajri të cilin e njoftonte për operacionit që zhvilloheshin për arrestimin e tij.

Në këmbim të mbrojtjes nga arrestimi, Çyrbja i kërkonte atij ta ndihmonte me vota gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 2021, ku deputeti socialist kandidonte në Qarkun e Durrësit, ku rezultoi i treti më i votuar pas kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

PJESE NGA DOSJA E SPAK

“I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.