Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka nisur sot shitjen e biletave për ndeshjen e parë eliminatore të Botërorit 2026 në shtëpi, kundër Andorës. Megjithatë, një vendim i paprecedent ka shkaktuar zemërim në mesin e tifozëve më të zjarrtë të Kombëtares, grupit “Tifozat Kuq e Zi” (TKZ).
Sektori N103, i cili tradicionalisht është rezervuar për TKZ-në, këtë herë është hapur për blerje të lirë nga publiku i gjerë. Ky veprim, i paqartë dhe i papritur, po konsiderohet si një “luftë e hapur” nga FSHF ndaj grupit që prej 21 vitesh ka mbështetur Kombëtaren pa kushte, duke udhëtuar në çdo cep të botës për të ndjekur skuadrën e zemrës.
Vendimi i FSHF-së ka ngritur shqetësime për ndikimin e tij te atmosfera në stadium dhe te lojtarët në fushë, të cilët dihet se kanë një lidhje të veçantë me këtë grup tifozësh. Për momentin, FSHF nuk ka dhënë asnjë deklaratë për arsyet e këtij veprimi, ndërsa TKZ dhe mbështetësit e Kombëtares shpresojnë që situata të zgjidhet shpejt, për të mos ndikuar negativisht në moralin e ekipit kombëtar.