Fronti i Ri Popullor i majtë i Francës korr një fitore shokuese

Dështimi i të djathtës ekstreme në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare u prit me festime në Paris. Partia e Marin Le Pen nuk arriti dot rezultatin e dëshiruar.

Me një rezultat surprizë, koalicioni i krahut të majtë “Fronti i Ri Popullor” fitoi shumicën në raundin e dytë të votimit të zgjedhjeve parlamentare, sipas exit polleve të publikuara menjëherë pas mbylljes së votimit. Një fitore e papritur përballë partisë Bashkimi Kombëtar i ekstremit të djathtë.

Përmirëson rezultatin dhe partia e presidentit Emmanuel Macron që sipas të dhënave të deritanishme rezulton forcë e dytë. Por Franca rrezikon kaosin politik pasi asnjë nga koalicionet nuk ka siguruar një shumicë absolute në parlament.

Sipas exit polleve të televizionit TF1, “Fronti i Ri Popullor” mund të fitojë 180-215 vende në parlament, ndërsa një sondazh i Ipsos për France TV parashikon 172-215 vende për bllokun e krahut të majtë.

Jean-Luc Mélenchon, lideri i partisë radikale të majtë “Franca e Papërkulur”, më e madhja në koalicionin “Fronti i Ri Popullor”iu drejtua menjëherë mbështetësve të tij, duke shpallur fitoren.

JEAN-LUC MÉLENCHON – KREU I “FRONTI I RI POPULLOR”

E djathta ekstreme është larg shumicës sonte… Rezultati i zgjedhjeve është rezultat i një përpjekjeje madhështore mobilizimi. Presidenti duhet të përkulet dhe të pranojë se kjo është një humbje… kryeministri duhet të largohet. Presidenti ka fuqinë dhe detyrën të thërrasë Frontin. Fronti i ri Popullor është gati të qeverisë.”

Një rezultat i tillë u arrit falë votimit masiv në zgjedhje ku të dhënat e fundit treguan një pjesëmarrje prej mbi 67%.Pas shpalljes së rezultateve të exit polleve kryeministri Gabriel Atal njoftoi dorëheqjen, të cilën të hënën do t’ia dorrëzojë presidentit Macron. Ndërsa pranoi rezultatin, bashkëkryetari i partisë së ekstremit të djathtë, Bashkimi Kombëtar Jodran Bardella, tha se Franca ra në duart e ekstremistëve të majtë. Ai akuzoi presidentin Macron se zgjodhi të paralizojë institucionet. U zotua për një opozitë të fortë.

Koalicioni i qendrës i Presidentit Emmanuel Macronkaloi në vend të dytë duke lënë në vend të tretë Bashkimin Kombëtar të Marine Le Pen.Në një reagim presidenca franceze tha se Macron po analizon rezultatet e fundit zgjedhjeve dhe si garantor i institucioneve do të respektojë vullnetin e zgjedhësve. Për një shumicë absolute nevojiten 289 vende në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit të Francës.