Fronëzohet Kryepeshkopi i ri, Joan Pelushi: Lutem për forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë detyrë të shenjtë
Kryepeshkopi i ri i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi, është kurorëzuar sot në një ceremoni solemne që u mbajt në Katedralen e “Ngjalljes së Krishtit”. Në fjalën e tij, ai shprehu besimin se vetëm nëse Kisha është e bashkuar, mund të forcohet dhe të jetë një dëshmi e besueshme për Krishtin.
“Përkujdesja jonë duhet të jetë ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që janë të varfër dhe në nevojë,” tha Pelushi. Ai theksoi se bashkëjetesa fetare është një pasuri e madhe e Shqipërisë dhe duhet mbrojtur dhe zhvilluar vazhdimisht për të mirën e të gjithëve.
Kryepeshkopi inkurajoi të rinjtë të duan vendin e tyre dhe të mos e braktisin, duke theksuar se sakrificat për të tjerët sjellin gëzim dhe plotësojnë jetën. Ai shprehu gjithashtu angazhimin për të shërbyer me gjithë forcën për grigjën që i është besuar, duke lutur Perëndinë për ndihmë dhe forcë për të përmbushur këtë përgjegjësi të rëndë dhe të shenjtë.
Në fund, ai shprehu mirënjohjen ndaj Sinodit të Shenjtë për besimin dhe zgjedhjen e tij, duke kërkuar që Perëndia të mbrojë dhe të bekojë Kishën dhe vendin.