Frikë për shpërthimin e gripit të shpendëve në Vlorë, gjendën pula të ngordhura

Shpendë të ngordhur janë konstatuar në zonën e Plazhit të Vjetër në qytetin e Vlorës, duke ngritur shqetësime për një shpërthim të mundshëm të gripit të shpendëve.

Tre grupe specialistësh veterinerë janë vënë menjëherë në terren në zonat e plazhit të vjetër , grykëderdhjen e Vjosës dhe në lagunën e Nartës për të marrë mostra nga shpendët e ngordhur, me qëllim përcaktimin e shkakut të ngordhjeve.

Sipas autoriteteve veterinare, dyshohet për praninë e gripit të shpendëve, një sëmundje shumë infektive që mund të prekë shpendët e egër dhe ata shtëpiakë. Mostrat janë dërguar në laboratorin e Tiranës dhe rezultatet pritet të mbërrijnë brenda tri ditëve.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale që transmetohet shpejt mes shpendëve dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha për faunën dhe bujqësinë lokale.