Frikë hakmarrje apo arratisje? Të arrestuarit për vrasjen e Renis Dobrës transferohen në Tiranë

Dy të arrestuarit për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, Petrit Çakrri dhe Fation Bushgjokaj, janë transferuar në paraburgimin e burgut 313 në Tiranë. Vendimi vjen pas masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Dibrës ditën e djeshme.

Burime zyrtare bëjnë me dije se transferimi drejt burgut 313 është bërë për arsye sigurie, pasi në burgun e Burrelit ku fillimisht ishte parashikuar të dërgoheshin punojnë të afërm të viktimës, çka mund të përbënte rrezik për përplasjet e mundshme apo për sigurinë personale të të ndaluarve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fillim të këtij muaji në qytetin e Burrelit, ku 23-vjeçari Renis Dobra humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm. Përveç Çakrrit dhe Bushgjokajt, nën akuzë për vrasjen janë edhe dy vëllezërit Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Autoritetet dyshojnë se ata janë larguar jashtë vendit nëpërmjet Kosovës, duke u shmangur ndjekjes penale në Shqipëri.