Fredi Beleri “lahet” me vezë e kos në Tiranë, ‘tabelë qitje’ si autor i Masakrës së Peshkëpisë

Sharje, vezë dhe kos. Kështu u prit në Tiranë një prej autorëve të Masakrës së Peshkëpisë ku humbën jetën shumë ushtarë shqiptarë.

Teksa vinte 30 minuta me vonesë në takimet që delegacioni i PE po zhvillonte në Kryesinë e Kuvendit, disa qytetarë i kujtuan Fredi Belerit Masakrën  në një prej ngjarjeve më të rënda për të cilën eurodeputeti grek është akuzuar gjithnjë. Tre incidente u shënua me të gjatë kohës që ai hynte dhe dilte nga kryesia e Kuvendit ku delegacioni mbajti takim me deputetët e PD-së dhe të PS-së.  Ndërsa një grup të rinjsh protestuan me pankarta në duar.

Qytetari i kujtoi Belerit Masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur në 10 prill 1994, ku 7 persona të armatosur dhe me uniforma ushtrie sulmuan një repart ushtarak shqiptar në rrethin e Gjirokastrës e ku ranë dëshmorë ushtarët Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini. Fredi Beleri  nuk iu përgjigj por nxitoi të hynte në kryesinë e Kuvendit, duke kërkuar ndihmë për ta orientuar se nga ku do të hynte. Të njëjtët i kishin rezervuar të tjera vezë pranë “Europa House”.  Pas bisedimeve me grupet parlamentare, disa orë më vonë, teksa dilte nga Kryesia e Kuvendit, Fredi Belerin e prisnin edhe 2 protesta. Një qytetar e gjuajti me vezë dhe i hodhi kos, si shenje revolte ndaj asaj që sipas tij Beleri përfaqëson.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama nuk e priti në kryeministri delegacionin e eurodeputetëve por shkoi në hollin e hotelit ku po qëndronin për t’i uruar mirëseardhjen. Në këtë takim mungoi vetë Fredi Beleri i cili nuk pranoi të komentonte pse nuk u mbajt takimi. Fredi Beleri do të qëndrojë në Tiranë me delegacionin e Parlamentit Evropian deri të mërkurën, teksa do të marrë pjesë në punimet dyditore të  takimit të 18-të të komisionit ndërparlamentar të stabilizim asociimit. Paraditen e sotme delegacioni zhvilloi takime me grupet parlamentare. Socialistët ritheksuan edhe një herë momentin historik që shënon hapja e negociatave, ndërsa demokratët kërkuan ndihmë pasi sipas tyre mazhorancë u refuzon hetimin parlamentar, ndërsa shprehën shqetësimin për zgjedhjet.

Fredi Beleri është një nga të akuzuarit e masakrës së Peshkëpisë, por çështja u mbyll nga SPAK në 2021 për mungesë provash, ndërsa kreu dënimin me 2 vite burg për vjedhje votash.