FOTOLAJM/ Aksidenti tragjik në Prrenjas pas festës së Shën Valentinit, kjo është studentja 20-vjeçare që humbi jetën

Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Pishkash, Prrenjas, ku një automjet tip Benz është përplasur me një kamion me targa nga Shkupi. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën 20-vjeçarja Megi Xhetani, ndërsa i fejuari i saj, Zef Sinani, 34 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë.


Çifti po udhëtonte drejt shtëpisë së tyre në Mamurras, pasi kishin festuar Shën Valentinin. Sipas hetimeve paraprake, aksidenti ka ndodhur pasi drejtuesi i mjetit, Zef Sinani, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me kamionin.

Megi Xhetani, e cila ishte vajza e vetme e familjes, studionte në Universitetin e Tiranës. Tragjedia ka tronditur familjen dhe të afërmit e saj.

Pas aksidentit, Zef Sinani u dërgua fillimisht në spitalin e Librazhdit, më pas në Elbasan, dhe për shkak të gjendjes së rëndë, u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka arrestuar Zef Sinanin, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin për shkak të humbjes së kontrollit mbi makinën. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.