Fotoja që “futi në telashe” Thaçin, Haga përdor pamjet për të zgjatur paraburgimin
Një fotografi e publikuar nga djali i Haxhi Shalës për festën e Pavarësisë së Kosovës ka ndikuar në vendimin për vijimin e paraburgimit të Hashim Thaçit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në imazhin e bërë publik, Thaçi shihet në një lidhje video nga Qendra e Paraburgimit, ku ndodhet edhe Haxhi Shala. Sipas rregullave të Gjykatës Speciale, një komunikim i tillë është i ndaluar, dhe Prokuroria e ka përdorur si argument për të mbajtur Thaçin në paraburgim, me pretendimin se ai mund të ndikojë dëshmitarët.
Në dokumentin e Prokurorisë thuhet se “pjesëmarrja e dukshme e Thaçit në një video-telefonatë të një të burgosuri tjetër nënvizon rrezikun konkret që ai mund të përdorë komunikimin për të vendosur kontakte indirekte me dëshmitarët ose për të shpërndarë informacion konfidencial”.
Sipas Speciales, një situatë e tillë jashtë mjedisit të kontrolluar të qendrës së Paraburgimit do të paraqiste një rrezik edhe më të madh, ndaj paraburgimi konsiderohet masa më efektive për të parandaluar çdo tentativë për ndikim në dëshmitarë apo pengim të procedurave gjyqësore.
Prokuroria argumenton se lirimi i Thaçit mund të krijojë mundësi për arratisje ose për ndërhyrje në procesin gjyqësor, prandaj ka kërkuar vazhdimin e qëndrimit të tij në paraburgim. Gjykata pritet të shqyrtojë në vijim nëse do të ketë ndryshim në masën e sigurisë apo nëse Thaçi do të vijojë të mbetet i izoluar në Hagë deri në përfundim të procesit.