FOTO/ Tragjedia e avionit në Indi, shuhen familje të tëra! Kush janë viktimat
Pothuajse të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi i avionit të Air India, që udhëtonte drejt aeroportit Gatwick të Londrës dhe u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga Ahmedabad, kanë humbur jetën. Në bord ndodheshin 242 persona, mes tyre 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez. Autoritetet lokale kanë raportuar se edhe banorë të zonës së populluar ku avioni u rrëzua kanë humbur jetën.
Një prej pasagjerëve, britaniku Vishwashkumar Ramesh, ka mbijetuar dhe po trajtohet në spital për plagë. Por, identitetet e viktimave të tragjedisë po bëhen publike.
Familja Nanabawa
Tre nga viktimat britanike ishin anëtarë të një familjeje që jetonte në Gloucester. Akeel Nanabawa, bashkëshortja e tij Hannaa Vorajee dhe vajza e tyre katërvjeçare, Sara Nanabawa, humbën jetën në aksident. “Zemrat tona janë të thyera dhe jemi të shkatërruar,” thuhet në deklaratën e familjes së tyre. Imami Abdullah tha se Akeel njihej për bujarinë e tij të heshtur, Hannaa për ngrohtësinë dhe mirësinë, ndërsa Sara për shpirtin e saj të gjallë e të gëzuar.
Adam dhe Hasina Taju, dhe dhëndri i tyre, Altafhusen Patel
Adam Taju, 72 vjeç, bashkëshortja e tij Hasina, 70 vjeç, dhe dhëndri i tyre, Altafhusen Patel, 51 vjeç, ishin mes viktimave. Ata jetonin në Londër dhe po ktheheshin nga Ahmedabad. Vajza e tyre, Ammaarah, tregoi se familja është në gjendje shoku, ndërsa presin informacion zyrtar.
Fiongal dhe Jamie Greenlaw-Meek
Një çift tjetër britanik, Fiongal dhe Jamie Greenlaw-Meek, që drejtonte një qendër spirituale në Londër, ishte në avion. Pak para tragjedisë, ata kishin publikuar një video nga aeroporti ku shfaqeshin të qeshur e të lumtur pas udhëtimit në Indi.
Familja Syed
Javed Syed, bashkëshortja e tij Mariam dhe dy fëmijët e tyre të vegjël nga Londra Perëndimore, gjithashtu humbën jetën. Mariam punonte në Harrods, ndërsa Javed në një hotel në Londër.
Ajay Kumar Ramesh
Ajay Kumar Ramesh ishte ulur pranë të vëllait Vishwashkumar, i cili mbijetoi. Familja e tyre po përpiqet të marrë informacione për Ajay.
Vijay Rupani
Ish-kryeministri i shtetit Gujarat, Vijay Rupani, gjithashtu ndodhej në bord. Ai kishte shërbyer si drejtues i shtetit nga viti 2016 deri në 2021 dhe ishte pjesë e partisë në pushtet BJP.
Singson
Një nga anëtaret e ekuipazhit, Singson, u konfirmua si viktimë. Familja e saj tha se ajo ishte mbështetësja e vetme financiare e nënës dhe vëllait të saj.
Raxa Modha dhe nipi i saj dyvjeçar, Rudra Modha
Nga Northamptonshire humbën jetën edhe Raxa Modha dhe nipi i saj Rudra. Ata po ktheheshin në Angli për një ceremoni përkujtimore për bashkëshortin e ndjerë të Raxa-s, i cili kishte vdekur nga kanceri në prill. Kryetari i bashkisë së Wellingborough shprehu ngushëllimet më të thella për familjen e tyre.
Familja e mjekut Prateek Joshi
Një ndër historitë më prekëse është ajo e familjes së mjekut Prateek Joshi, e cila po udhëtonte drejt Londrës për një jetë të re. Vetëm pak çaste para ngritjes së avionit, mjeku Joshi, bashkëshortja e tij, Komi Vas, dhe tre fëmijët e tyre, realizuan një selfie, të buzëqeshur dhe plot shpresë, pa e ditur tragjedinë që i priste.
Sipas një të afërmi të tyre, mjeku Joshi ishte kthyer nga Londra në Indi vetëm për të marrë gruan dhe fëmijët dhe të niseshin së bashku. Çifti ishin martuar prej 10 vitesh.