FOTO/ Protesta në Beograd, traktorët rrethojnë parkun përballë Kuvendit, tensione dhe akte vandalizmi

Beogradi është përfshirë nga një protestë masive antiqeveritare, ku dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur për të kundërshtuar korrupsionin dhe qeverisjen e Aleksandar Vuçiç. Kulmi i demonstratave ka parë pjesëmarrjen e një numri të madh studentësh dhe qytetarësh, ndërsa parku Pionirski, përballë Kuvendit të Serbisë, është mbushur me traktorë dhe forca të shumta policore.

Pamjet nga mediat vendase tregojnë traktorët e parkuar në zonë, disa prej të cilëve kanë pësuar dëmtime, me goma të shpuara dhe xhama të thyer. Autorët e këtyre akteve mbeten ende të panjohur.

Presidenti Vuçiç ka deklaruar se shteti do të marrë të gjitha masat për të ruajtur rendin dhe ka paralajmëruar arrestimin e personave që shkaktojnë incidente. Ndërkohë, qeveria ka akuzuar opozitën për organizimin e dhunës, por studentët kanë mohuar çdo përfshirje në veprime të tilla.

Kjo protestë konsiderohet si pika kulmore e një lëvizjeje të gjatë antiqeveritare që ka përfshirë Serbinë në muajt e fundit.