FOTO/ Ky është Skifter Tagani që helmoi shqiptarët me ushqime të skaduara
Ditën e sotme është zbuluar një aktivitet i rëndë kriminal në fabrikën “Master AL”, pronë e Skifter Taganit në qytetin e Vorës.
Skifter Tagani grumbullonte ushqime të skaduara nga tregje të ndryshme të vendit, kryesisht në qytete si Tirana, Elbasani dhe Durrësi por edhe nga jashtë Shqipërisë, të cilat më pas i dërgonte në magazinën e tij në Vorë.
Hetimet tregojnë se kjo fabrikë ishte përfshirë në manipulimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të skaduara, të cilave u falsifikohej data e skadencës dhe më pas hidheshin përsëri për t’u shitur në treg.
Në ambientet e fabrikës u sekuestruan dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, të cilat sipas ekspertizës kishin skaduar që në janar të këtij viti.
Pavarësisht këtij skandali dhe raportimeve të shumta të qytetarëve për produkte jocilësore të blera në markete të ndryshme, policia “mbyll sytë” pasi Skifter Tagani vetëm është proceduar penalisht, pa u marrë masa më të rënda ndaj tij.
Më rëndë e kanë pësuar punonjësit e magazinës. Florenc Domi dhe Agim Domi, të cilët mbanin detyrën e administratorit dhe magazinierit, respektivisht, janë ndaluar për hetime të mëtejshme. Po ashtu është proceduar edhe një shofer i fabrikës, 58-vjeçari me inicialet A.D.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët prej kohësh kishin ngritur shqetësime për cilësinë e produkteve në disa markete të vendit. Tashmë mbetet në dorën e drejtësisë që të japë një mesazh të qartë për rastet e tilla që rrezikojnë shëndetin publik.