FOTO/ Ky është i riu shqiptar që u vra në Itali gjatë një tentative grabitjeje! DINAMIKA tronditëse e ngjarjes

Mediat italiane kanë publikuar foton e viktimës shqiptare të një krimi të rëndë që tronditi zonën e Cilentos. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Rivaldo Rusi, i cili u vra me armë zjarri gjatë një tentative për grabitje në vilën e biznesmenit italian Aurelio Valiante.

Ngjarja ndodhi gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, kur disa persona dyshohet se tentuan të hynin në banesën e Valiante-s. Biznesmeni 58-vjeçar ka deklaruar në polici se mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj grabitësve, duke vrarë në vend Rivaldo Rusin dhe duke plagosur rëndë një tjetër shtetas shqiptar, i cili ndodhet në gjendje kritike në një spital në Napoli.

Pas krimit, Valiante pranoi para hetuesve italianë se kishte fshehur trupin e të riut shqiptar, duke e groposur në një zonë të pyllëzuar, disa kilometra larg shtëpisë së tij. Autoritetet kanë ngritur ndaj tij akuza për vrasje, plagosje të rëndë dhe fshehje të trupit të pajetë.

Në zonën Sant’Andrea del Pizzone, ku ndodhet banesa e viktimës, janë mbledhur shumë shqiptarë që kanë shprehur solidaritet me familjen e të ndjerit. Rivaldo Rusi kishte lënë pas një bashkëshorte të re dhe një fëmijë të vogël, të cilët tashmë përballen me një tragjedi të thellë.