Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Zall Bastar, ku 81-vjeçari Xhelal Meta është gjetur i pajetë mëngjesin e së hënës, jo shumë larg shtëpisë së tij. Ai dyshohet se ka qenë në rrugë për në kafenenë e fshatit kur ka ndodhur ngjarja fatale. Policia ka nisur hetimet, ndërsa ekspertiza paraprake ka konkluduar se vdekja e tij ka ardhur pas goditjeve me sende të forta, kryesisht në pjesën e kokës.
Në fillim, dyshimet e para të hetuesve ishin që Xhelal Meta mund të ketë humbur jetën pas një rënieje aksidentale. Por, pas ekzaminimeve të mëtejshme dhe analizës nga ekspertët, është konfirmuar se vdekja ka qenë pasojë e dhunës, duke lënë hapësirë për hetime të tjera për të zbardhur shkaqet dhe autorët e mundshëm të krimit.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka marrë në pyetje të gjithë banorët e zonës, pasi ka vetëm katër shtëpi në fshatin Zall Bastar. Mesohet se Xhelal Meta jetonte i vetëm, ndërkohë që dyshimet janë që ngjarja mund të ketë ndodhur në një moment kur ai ishte në lëvizje drejt kafenesë, një vend që frekuentonte shpeshherë.
Policia ka regjistruar ngjarjen si “Vrasje me dashje” dhe ka nisur një hetim të gjerë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes. Ajo ka kontrolluar zonën dhe po shqyrton mundësinë e ndonjë konflikti të mundshëm me banorët e tjerë të fshatit ose kushdo që mund të ketë qenë i përfshirë.