Foshnja palestineze kurohet në Tiranë/ Familja evakuohet nga Gaza, 1-vjeçari në terapi intensive
Një foshnjë 1-vjeçare nga Gaza ka mbërritur në Shqipëri për të marrë trajtim mjekësor në Shërbimin e Pediatrisë në QSUT, pasi vuante nga probleme të rënda respiratore dhe bronkolite.
I vogli ishte i intubuar në Gaza, por u transportua me një avion sanitar në Tiranë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Aktualisht ai po kurohet nën kujdes intensiv dhe, sipas mjekes Mira Kola, gjendja e tij është në përmirësim. Mjekët presin që brenda pak ditësh ai të dalë nga spitali.
Evakuimi i fëmijës dhe një pjese të familjes së tij është bërë i mundur nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Përveç foshnjës, në Shqipëri janë evakuuar edhe babai, motra e tij dhe një tjetër fëmijë për të cilin familja kujdeset. Ata janë strehuar në qendrën e azilantëve në Babrru, ndërkohë që pjesa tjetër e familjes, përfshirë nënën dhe dy fëmijë të tjerë, nuk është lejuar të largohet nga Gaza.
Lajmi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa qytetarë kanë akuzuar qeverinë shqiptare për përdorimin e këtij rasti për qëllime propagandistike, duke shprehur shqetësimin se fëmijët shqiptarë nuk marrin të njëjtën vëmendje mjekësore.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj komenteve, duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës ndërkombëtare në raste emergjente. Në deklaratën e tij, ai theksoi angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në ndihmë ndaj atyre që janë në nevojë, pavarësisht kombësisë apo origjinës.