Forumi i Davosit/ Sekretari i OKB-së thirrje Iranit: Hiqni dorë nga armët bërthamore

Në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur në Davos, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje Iranit të heqë dorë nga ambiciet për blerjen e armëve bërthamore dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive për sigurinë rajonale.

Gjatë fjalës së tij, Guterres nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Iranit, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke theksuar nevojën për një zgjidhje diplomatike.

“Shpresoj që Irani të kuptojë rëndësinë e heqjes dorë përfundimisht nga blerja e armëve bërthamore dhe të punojë në mënyrë konstruktive me vendet e tjera në rajon,” tha Guterres.

Në të njëjtin panel, Rafael Grossi, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), deklaroi se dialogu me Iranin është absolutisht i domosdoshëm për të çuar përpara negociatat për programin e tij bërthamor.

“Bisedimet janë thelbësore për të shmangur përshkallëzimin dhe për të garantuar sigurinë globale,” theksoi Grossi.

Këto deklarata vijnë mes tensioneve të vazhdueshme mbi programin bërthamor të Iranit dhe shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar për stabilitetin në Lindjen e Mesme.