Fluturimi i parë i certifikuar në Aeroportin e Vlorës, Rama: Së shpejti “Air Kosova” me bazë në Kukës
Në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës është realizuar fluturimi i parë i certifikuar, një moment historik për aviacionin shqiptar. I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë projekt si “tepër sfidues”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes burimeve njerëzore nga Kosova dhe Shqipëria për suksesin e këtij aeroporti.
Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt të vështirë, duke theksuar se aeroporti është ngritur dy metra mbi terren për shkak të sfidave teknike, duke garantuar një platformë të qëndrueshme sipas standardeve ndërkombëtare.
Po ashtu, Rama dha lajmin se kompania “Air Kosova” do të ketë bazën e saj në Aeroportin e Kukësit dhe do të nisë së shpejti fluturimet e saj, për të mos ndaluar më. Ai konfirmoi se kompania është regjistruar zyrtarisht në janar dhe se po punon për të siguruar avionët e parë.
“Air Kosova do të jetë kompania tjetër shqiptare, dhe këta dy avionë do të jenë dy avionët e krenarisë sonë të përbashkët – Air Albania me bazë në Vlorë dhe Air Kosova me bazë në Kukës,” deklaroi Rama, duke treguar edhe certifikatën e regjistrimit për të përforcuar lajmin.
View this post on Instagram