Florian Marku arrestohet sërish në Londër, pritet ekstradimi në Greqi për të vuajtur dënimin

Boksieri shqiptar Florian Marku është arrestuar sërish, këtë herë në Londër, vetëm pak ditë pasi ishte liruar në Gjermani. Arrestimi lidhet me të njëjtën çështje që e ndaloi në Gjermani, bazuar në një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet greke.

Marku ndodhet aktualisht në paraburgim në Angli, në pritje të ekstradimit drejt Greqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të një dënimi të dhënë për një ngjarje të ndodhur në vitin 2010. Ngjarja ka të bëjë me një sherr të dhunshëm në një klub nate në Selanik, ku Marku u përfshi me disa shtetas rusë.

Boksieri shqiptar ka kryer 1.5 vite nga dënimi i tij 7-vjeçar. Sipas burimeve pranë familjes së tij, ai pritet të vuajë rreth 6 muaj burg të tjerë për ta konsideruar çështjen të përfunduar.

Florian Marku është një nga boksierët më të njohur shqiptarë, me një karrierë të suksesshme në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, telashet ligjore kanë ndërprerë planet e tij sportive. Pas humbjes së parë në karrierë ndaj Chris Congos në mars të këtij viti, Marku kishte deklaruar se do të rikthehej për hakmarrje pas një pushimi të shkurtër. Arrestimi i fundit mund të shtyjë më tej datën e kthimit të tij në ring.

Fati i tij pritet të vendoset pas procedurave të ekstradimit, ndërsa tifozët e tij mbeten në pritje të një rikthimi të madh në karrierën e boksierit shqiptar.