Flori Mumajesi lë pas vështirësitë, rikthehet në muzikë! Miqtë zbulojnë prapaskenat dhe projektet e reja të kantautorit

Flori Mumajesi, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, duket se po përgatitet për një rikthim të shumëpritur në skenë, pas një periudhe të gjatë mungese dhe izolimi nga jeta publike. Për një kohë të gjatë, artisti kishte “zhdukur” praninë e tij në rrjete sociale dhe skenën muzikore, ndërsa u përfol gjerësisht se po përballej me probleme të shëndetit mendor.

Por ditët e errëta duken se janë drejt fundit. Një video e publikuar së fundmi nga Klajdi Haruni në Instagram ka ngjallur shpresën dhe emocionin e fansave. Në video dëgjohet zëri i Florit, ndërsa ai ndodhet në studio muzikore bashkë me Kejsi Tolën, Klajdi Harunin dhe Brunos, duke kompozuar. Ky moment ka nxjerrë gjithashtu në pah edhe pajtimin e tij me Brunos, me të cilin më herët ishte përfolur për një “krisje” në marrëdhënie.

Sipas miqve të afërt, Flor Mumajesi ka nisur të punojë mbi disa projekte të reja muzikore, kryesisht si autor këngësh për artistë të tjerë. Edhe pse ideja e një koncerti recital ka qenë në tryezë prej më shumë se një viti, vetë Flori ende nuk ka vendosur për t’u rikthyer në skenë si interpretues. Megjithatë, rikthimi në krijimtari është një hap i madh për artistin, i cili është zhvendosur prej vitesh në Kosovë për të jetuar larg zhurmës mediatike.

Një tjetër detaj intriguese që ka ngjallur spekulime është lëvizja e fundit në profilin e Instagramit të Florit. Ai ka ndryshuar foton e profilit me një sfond të bardhë dhe një mesazh të shkruar në ngjyrë të kuqe: “Pak Flor”. Fansat e tij kanë nisur të spekulojnë nëse kjo është një paralajmërim për një album të ri apo një projekt të veçantë.