Florent Hasani ‘thyen’ Kukësin, Tirana parakalon Partizanin dhe afrohet me titullin
Rokadë në kreun e Superligës shqiptare.
Tirana përfitoi nga hapi fals i Partizanit në Rrogozhinë dhe merr kryesimin në javën e 28-të. Kampionët në fuqi të vendit mposhtën mes shumë emocioneve 2-1 Kukësin.
Një duel i vulosur nga heroi i bardhebluve, Florent Hasani që tashmë nuk di të ndalet në garën për Këpucën e Artë të kampionatit. Tirana ishte dominuese në fushën e blertë, por rastet e krijuara u konkretizuan në gol vetëm në minutën e 42, me autor Hilën.
Kukësi reagoi në fillimin e fraksionit të dytë të lojës. Rashiti devijoi saktë drejt portës së Bekaj harkimin nga goditja e dënimit, duke barazuar llogaritë në 1-1. Verilindorët kishin mundësinë për të gjetur sërish golin, por traversa dhe portieri Bekaj mbajtën në lojë Tiranën.
Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, pas konsultimit me sistemin VAR aakordoi një penallti në favor të Tiranës. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Hasani, që dërgoi në delir shokët në fushë dhe stolin me golin e 15-të sezonal.
Gol tepër i rëndësishëm pasi i jep Tiranës kreun e renditjes me 50 pikë. Ndërkaq Kukësi numëron 35 pikë, distancuar me vetëm një pikë nga zona e ftohtë.