Flodian Plaku u zbulua nga ADN-ja e djersëve në dorezat e “Golfit“/Lidhja e vlonjatit me Roan Brahimin

Flodian Plaku, alias Florian Serjani, alias Flodian Mamo, 41-vjeç, nga qyteti i Vlorës, është deri tani i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Genjtjan Bejtjas, në fshatin Larushk të Fushë Krujës. 41-vjeçari me 3 emra, njihej në qytetin e Vlorës dhe me pseudonimin ‘Pole Qorri’, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes.

Policia gjeti gjurmë djerse në njërën prej dorezave të derës së pasme dhe dorezën  që ndodhet në tavanin e makinës tip “Golf 7” të sekuestruar në zonën e TEG-ut, teksa makinën po e çonte për ta larë në lavazh i arrestuari Edison Haxhiu. Kjo makinë e sekuestruar tashmë nga policia, është përdorur nga njësia e vrasjeve për t’u larguar nga vendi.

Gjurma biologjike e marrë në makinë është krahasuar në bankën e të dhënave të ADN-së që ndodhet në policinë kriminale në Policinë e Shtetit, e cila rezultoi se i përkiste gjurmëve të personit të arrestuar në 2019, Flodian Plaku. Në 2019 Plaku është arrestuar për qëllimi ekstradimi në Itali pasi rezultonte i shpallur në kërkuar nga autoritet italiane si i përfshirë në trafikun e drogës dhe këtë gjë e ka bërë së bashku me disa persona të tjerë si Armand Lushaj, Indrit Hamzaj dhe Julian Aliaj, të cilët shpërndanin drogën në komunat e Firences. Që në 2019 Plakut i janë marrë gjurmët e ADN-së ndaj dhe identifikimi i tij përmes djersës së gjetur në dorezat e makinës është realizuar shumë i shpejtë. Kaq ka mjaftuar ndaj Flodian Plakut të lëshohet masa e “arrestit në burg”.

Ku ndodhet Flodian Plaku

Flodian Plaku, aktualisht ndodhet në Spanjë. Urdhri për arrestimin e tij është lëshuar qysh prej 26 korrikut, por është mbajtur sekret dhe pa publikuar në media me shpresën se Flodian Plaku, do udhëtonte për pushime nga Spanja në drejtim të Shqipërisë, ku dhe më pas policia kishte planifikuar arrestimin e tij. Por Flodian Plaku nuk ka dhënë asnjë sinjal për të ardhur në Shqipëri ndaj dhe u bë zyrtarisht shpallja në kërkim ndërkombëtar i tij. Policia Shqiptare ka kërkuar autoriteteve Spanjolle arrestimin e Plakut, në një qytet të Spanjës.

Lidhja me Roan Brahimin

Flodian Plaku, vlonjati që u shpall sot në kërkim nga policia dhe prokuroria e Tiranës, si njëri nga tre ekzekutorët e Gentian Bejtjas në Larushk të Tiranës, rezulton të jetë miku i Roan Brahimit që në muajin Maj 2024, mbeti i vrarë në Athinë.Sipas burimeve të policisë është provuar në dhjetëra raste se Roan Brahimi, ka prerë biletë avioni në një agjenci udhëtimi në Lezhë për Flodian Plakun dhe disa persona të tjerë të skeduar nga policia kriminale si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Kjo agjenci udhëtimi që ndodhet në qytetin e Lezhës është kontrolluar dy ditë më parë nga policia kriminale e Tiranës dhe prej andej janë sekuestruar disa dokumente dhe një kompjuter.