Flamurtari fiton 4-1 përballë Korabit në Vlorë, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme për renditjen në rrugën drejt kategorisë superiore.
Me këtë fitore, vlonjatët ngjiten në kuotën e 59 pikëve në renditje, duke vijuar të mbajnë vendin e dytë, pozicion që të çon në Superligë.
Takimi nisi jo mirë për Flamurtarin, teksa ishte Korabi që kalon i pari në avantazh me Trenin. Megjithatë, Flamurtari arrin të gjejë golin e barazimit, ku është Shkurtaj që realizon, ndërsa pjesa e parë mbyllet 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Flamurtari shton presionin ndaj kundërshtarit dhe gjen golin e avantazhit me mesfushorin Marku, ndërsa 10 minuta më vonë shënon edhe golin e tretë me anë të sulmuesit Oshafi.
Vlonjatët, pas këtij momenti, luajnë më të qetë duke administruar rezultatin, ndërsa në fund shënojnë sërish me Oshafin, duke mbyllur gjithçka në fitoren 4-1.
Pas takimit, trajneri i Flamurtarit, Andrea Agostineli, ka vlerësuar lojën e ekipit të tij, që ka marrë një fitore me shumë vlera.
Trajneri i Korabit, Agim Canaj, ka theksuar se ndeshja u vendos nga cilësia e Flamurtarit.
Ndeshjen e radhës, Flamurtari e luan të mërkurën në transfertë ndaj Apolonisë.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ