Flakët “pushtojnë” Drenovën e Mallakastrës! Rrezikohen banesat, situata kritike edhe pas ndërhyrjes nga ajri

Zjarri masiv që ka përfshirë zonën e Drenovës në Mallakastër vijon të përhapet me intensitet të lartë, duke e përkeqësuar më tej situatën në terren. Pavarësisht përpjekjeve të shumta nga toka dhe ndërhyrjes nga ajri, flakët nuk janë vënë ende nën kontroll.

Intensiteti i erës ka ndikuar ndjeshëm në përhapjen e zjarrit, duke bërë që vatra të reja të shfaqen në një sipërfaqe të gjerë, çka e ka bërë të pamundur izolimin e plotë të flakëve. Aktualisht, situata konsiderohet kritike dhe e dalë jashtë kontrollit.

Në terren ndodhen dhjetëra efektivë të forcave zjarrfikëse të Mallakastrës, Fierit dhe Patosit, të cilët po mbështeten edhe nga forcat bashkiake dhe trupa të ushtrisë. Qëllimi kryesor është shmangia e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.