Flakët në Pilur e Llaman, reagim i menjëhershëm i strukturave, Tavo: Opozita përhap panik, nuk bëhet politikë me zjarrin
Sot, në afërsi të kthesës së Pilurit dhe Llamanit, një zjarr përfshiu sipërfaqe me gjelbërim, duke rrezikuar zonën përreth. Strukturat e emergjencës dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe me përkushtim, duke punuar në kushte të vështira për të vënë situatën nën kontroll.
Në vendngjarje ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i pushtetit lokal, kryetari i Bashkise Vangjel Tavo, i cili bëri të ditur se me mbështetjen e autoriteteve qëndrore, në operacion u angazhua edhe një helikopter i emergjencave civile për të ndihmuar nga ajri në shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, ngjarja ka marrë edhe një ngjyrim politik. Tavo reagoi ndaj një këshilltareje të opozitës, e cila, sipas tij, përdori situatën për të bërë “politikë me zjarrin” përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Në vend që të tregonte solidaritet dhe të mbështeste ekipet që po luftojnë me flakët, ajo zgjodhi të përhapte panik dhe të hidhte baltë mbi punën e strukturave tona,” tha ai.
Ai shtoi se reagimet e tilla janë të papërgjegjshme dhe nuk ndihmojnë në menaxhimin e emergjencave, ndërsa nënvizoi se detyra e përfaqësuesve të zgjedhur është të bashkëpunojnë dhe të jenë zëri i qytetarëve, jo të krijojnë zhurmë politike.
Pavarësisht kesaj, autoritetet lokale theksuan se do të vijojnë të punojnë me përkushtim për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit.