“Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen”/ Rama apel diasporës: Regjistrohuni për të votuar! 22 ditë nga afati i fundit për zgjedhjet historike të 11 majit

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, të cilat do të jenë historike, pasi për herë të parë diaspora do të ketë mundësinë të votojë.

Në rubrikën e tij “Sy më Sy”, Rama u bëri apel emigrantëve që të mos e shtyjnë regjistrimin për ditët e fundit, pasi sistemi mund të përballet me mbingarkesë. Ai kujtoi se regjistrimi përfundon më 4 mars dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti për demokracinë shqiptare.

“22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve të diasporës, 11 maji do të jetë një votim historik. Shqiptarët nga Evropa dhe bota do të votojnë për herë të parë nga jashtë, duke dërguar fletën e votimit me postë. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i tyre për progresin e vendit tonë është i rëndësishëm”, tha Rama.

Ai premtoi se në mandatin e katërt synon të çojë përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj historie të re duhet të regjistrohen deri më 4 mars. Shqipëria e sotme është e respektuar nga bota si asnjëherë më parë. Në mandatin e katërt do të hedhim hapin përfundimtar drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi kryeministri.