Fituesja iraniane e Nobelit për Paqe kërcënohet me vrasje nga Teherani
Fituesja iraniane e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, po përballet me kërcënime serioze për jetën e saj nga autoritetet në Teheran. Lajmi është konfirmuar nga Komiteti i Nobelit, i cili ka zhvilluar një bisedë telefonike me aktivisten, gjatë së cilës ajo ka pohuar se i janë bërë kërcënime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për vrasje.
Sipas njoftimit zyrtar nga Komiteti, kërcënimet “tregonin qartë se siguria e saj është në rrezik”, duke shtuar se autoritetet iraniane i kanë kërkuar Mohammadi-t të ndalojë çdo aktivitet publik në Iran, përfshirë çdo dalje në media.
Narges Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2023, për përpjekjet e saj të jashtëzakonshme kundër shtypjes së grave në Iran dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Aktivistja ka qenë e burgosur në mënyrë të përsëritur që nga viti 2016, ndërsa është dënuar për krijimin e një grupi të paligjshëm dhe për propagandë kundër regjimit.
Pavarësisht represionit brutal, Mohammadi ka vazhduar të denoncojë torturat, abuzimet seksuale dhe izolimin e të burgosurve politikë në burgjet iraniane. Sot, ajo ndodhet jashtë burgut me një leje mjekësore të përkohshme, pas një operacioni të rëndë në këmbë vitin e kaluar. Megjithatë, ajo rrezikon kthimin në qeli, pasi dënimi i saj nuk është anuluar.
E lindur në vitin 1972, Narges Mohammadi është një nga zërat më të fuqishëm që ka kundërshtuar detyrimin për mbajtjen e shamisë, duke u bërë simbol i rezistencës për liri dhe barazi në Iran.