Fitues ishte “Salillari”! Pse u anulua tenderi 5.3 milionë euro për burgun e Kukësit?!

Një tender me vlerë mbi 5.3 milionë euro për ndërtimin e burgut në Kukës është anuluar befas vetëm dy muaj pas shpalljes së fituesit – një zhvillim që ngre pikëpyetje të forta mbi ligjshmërinë dhe transparencën e procedurës.

Në 12 maj 2025, vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, shpalli fituese kompaninë “Salillari” në tenderin për “projektimin dhe ndërtimin e IEVP Kukës”. Firma ofroi 528.3 milionë lekë pa TVSH, që përbënte 99.9% të fondit limit, ndërkohë që asnjë kompani tjetër nuk u kualifikua.

Fakti që “Salillari” ishte e vetmja ofertues dhe që oferta ishte praktikisht identike me fondin limit, krijoi dyshime të forta se tenderi ishte i paracaktuar, ndërsa disa zëra hodhën hipotezën se dokumentet standarde mund të ishin hartuar me dorë nga vetë firma.


Por surpriza e vërtetë erdhi më 14 korrik 2025, kur i njëjti institucion vendosi të anulonte tenderin, me arsyetimin se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret”.

Ky anulim ka hapur një sërë pyetjesh:

A kishte paraqitur “Salillari” dokumente të rreme?
A ishte tentativa për të marrë fondet publike bërë përmes manipulimit të procedurës?
Pse nuk u veprua menjëherë pas verifikimit të dokumenteve, por vetëm pas dy muajsh?

Në dokumentacionin zyrtar nuk jepen shpjegime të detajuara, por rasti po konsiderohet një rast tipik që kërkon hetim të plotë: që nga hartimi i dokumenteve standarde, skualifikimi i firmave të tjera, shpallja e fituesit, deri tek procesi i sigurimit të kontratës.

Kjo nuk është hera e parë që kompania “Salillari” përmendet në tendera të dyshimtë, pasi emri i saj është i lidhur prej vitesh me kontrata të mëdha publike, koncesione, projekte energjetike, si dhe ndërhyrje në lumenj e zona të mbrojtura.