Rikthimi pas 16 vitesh në gjysmëfinalet e Champions League ka kthyer harmoninë te Milani.
Kuqezinjtë janë shumë pranë finales së madhe, teksa pengesë do të jetë Interi. Kundërshtari i qytetit, ku duhet që t’i eliminojë pas 180 minutave për të konfirmuar vendin në raundin e fundit. Nëse Milan arrinë që të fitojë për herë të 8-të në histori trofeun, drejtuesit kanë gati një shpërblim për trajnerin Stefano Pioli.
Në kontratën që skadon në qershor 2025, italiani ka një klauzolë prej 300 mijë eurosh bonus në rast se Milan shpallet kampione Europe. Një shifër e konsiderueshme duke parë punën e 57-vjeçarit në Milano. Kuqezinjtë janë transformuar nën drejtimin e tij në pankinë dhe pas titullit kampion në Serie A, janë shumë pranë fitimit të Champions League.
Skuadra italiane është në rrugën e duhur edhe për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve përmes kampionatit, ku rivaliteti do të jetë i fortë me ekipe si Lazio, Juventus, Roma, Inter apo dhe Atalanta. Momentalisht, kampionët në fuqi të Italisë gjenden në vendin e katërt, me 56 pikë aq sa Roma ndjekëse.