Fitore mes lotësh, Partizani ‘thyen’ Vllazninë dhe eliminohet nga Kupa e Shqipërisë

Partizani fiton por eliminohet shumë shpejt nga Kupa e Shqipërisë.

Të kuqtë triumfuan minimalisht 1-0 ndaj Vllaznisë në një 90 minutësh që nuk vlejti për të kthyer fatet e sfidës mes tyre. Kjo pasi shkodranët vinin nga fitorja 3-1 në “Loro Boriçi” dhe humbja minimale në stadiumin “Partizani” nuk ndikoi aspak në vazhdimësinë e shkodranëve në rrugën drejt mbrojtjes së titullit. Mensah shënoi golin e vetëm në këtë fitore të Partizanit.

Afrikani realizoi që në minutën e 25-të të sfidës, duke vënë në presion Vllazninë e cila mendoi më shumë për tu mbrojtur në këtë takim.

Madje në fundin e takimit, Partizani gjeti sërish rrugën drejt rrjetës, por për shkak të një faulle goli i Carës u anulua. Një verdikt që ndikoi jo pak te fati i duelit dhe eliminimi i Partizanit që i jep kështu lamtumirë Kupës së Shqipërisë që në raundin çerekfinal.

Ndërkaq, Vllaznia kërkon sërish të ngre lart trofeun që e ka fituar në dy edicionet e fundit të saj.