Fitoi statusin e azilantit politik në Itali, autoritetet shqiptare në vështirësi për ekstradimin e ish‒kryeprokurorit

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë përgjatë viteve 2012-2017, Adriatik Llalla, ka fituar statusin e Azilantit Politik në Itali. Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews” se vendimi për dhënien e statusit është marrë nga Gjykata e Romës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën e Adriatik Llallës, i cili mbrohej nga avokatja shqiptare Ada Mahmutaj, urdhëroi miratimin e kërkesës, duke i hapur rrugën procedurave të mëtejshme të marrjes së pasaportës italiane, që lëshohet përmes strukturave të Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuatr se Llalla ka fituar statusin e Azilantit, duke sjellë vështirësi serioze dhe zbehur shpresat për ekstradimin e tij.

Adriatik Llalla, prej muajit Shtator 2021, kishte nisur një betejë ligjore në Romë, duke bindur drejtësinë e këtij vendi se përndjekja dhe dënimi i tij me 2 vite burgim në Shqipëri, ka qenë një iniciativë politike dhe jo e pavarur. E gjatë mbrojtjes së tij, mësohet se i ka servirur trupës gjykuese një sërë deklaratash me eksponentë politikë në Shqipëri dhe jo vetëm, duke pretenduar se procesi penal kundër tij, është ndikuar politikisht.

Me marrjen e statusit të azilantit politik dhe fitimit të pasaportës italiane, njëherësh Adriatik Llalla nxjerr “null” dhe procesin e ekstradimit të tij në Shqipëri, duke e renditur çështjen e tij, në listën e atyre dosjeve që kanë dështuar për sa i përket ekstradimeve.

Çështja nisi fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të parave”, kështu që Llalla, u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën lëndore dhe dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Akuzat ndaj tij u tkurrën në vitin 2021, ku SPAK njoftoi më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën Llalla u dënua në mungesë nga gjykata me dy vite burgim.