Fitimet e Kryemadhit me “kushërinjtë”, familja Berisha pjesë e tyre

Kompanitë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC, në pronësi të biznesmenit Adrian Shatku, i cili rezultoi se kishte marrëdhënie me çiftin Meta-Kryemadhi, mësohet se kanë lidhje edhe me familjen Berisha.

Teksa vëmendja është tek masa e sigurisë së Metës, janë dalë në dritë edhe disa detaje të tjera. Vajza e Sali Berishës, Argita, është ajo që ka lidhje me biznesmenin më të fuqishëm në New York. Një studio e hapur nga Argita Berisha ka marrë nga po e njëjta kompani një këst prej 7,656 euro, shumë e cila do të përdorej për të shqyrtuar të gjitha mundësitë e investimeve.

Gjithashtu, edhe klientët e vajzës së Berishës do të kishin privilegje. Më pas, ish-kryeministri, më 21 tetor 2010, do të firmoste vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 840, me të cilin lejohej “Shoqëria UNIFI Holdings Inc. – dega Shqipëri, për të kryer studimin përkatës dhe për shtrirjen e kabllos nënujore ndërkombëtare me fibrë optike Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri).”

Pjesë e votimit të këtij vendimi ka qenë dhe Meta, ministër në qeverinë e Berishës në atë kohë, edhe pse në konflikt interesi, pasi Shatku ishte kushëri i Monika Kryemadhit. Më pas, çifti Meta-Kryemadhi do të sigurohej ta çonte vendimin deri në fund, duke bashkëpunuar me Shatkun.

Për të vërtetuar korrupsionin e Meta-Kryemadhit me kompaninë e Shatkut, SPAK-i bazohet në zbardhjen e të gjitha bisedave nga zbërthimi i telefonit të Monika Kryemadhit. Në bisedat e SPAK, janë disa komunikime të Monika Kryemadhit me atë që ajo e quan “kusho,” si dhe planin sesi do të ndahej fitimi, ku Kryemadhit i takonte 32.85%, ndërsa UNIFI e Shatkut vetëm 16.42%, pasi gjysma e fitimit i takonte një biznesmeni tjetër.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi përdorën të gjithë pushtetin e tyre që kompanitë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC të merrnin në Shqipëri lejet për dy projekte milionëshe, për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkoneksionit të transferimit të thirrjeve telefonike, që kishte lidhje edhe me familjen dhe pushtetin e Sali Berishës.