Financues i agjentëve të Mossad, publikohen pamjet e arrestimit në Turqi të Liridon Rexhepit/ Ka transferuar para te operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës

Publikohen pamjet e arrestimit të Liridon Rexhepit, shqiptarit nga Kosova, i cili u arrestua nga policia dhe shërbimi sekret turk, si i dyshuar se ka transferuar para te operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi.

Mediat turke raportojnë se Rexhepi kishte hyrë në Turqi më 25 gusht, ndërsa u ndalua të premten e kaluar dhe të martën zyrtarisht u arrestua. Sipas kësaj agjencie, ai gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se ka bërë transferime të parave.

Që nga janari, autoritetet turke kanë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe hetues privatë, nën akuzat se kanë mbledhur të dhëna për individë, kryesisht për palestinezë që jetojnë në Turqi, dhe ato të dhëna ia kanë dërguar inteligjencës izraelite.

Izraeli nuk ka komentuar arrestimet e bëra në Turqi. Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë një prej kritikëve më të zëshëm të veprimeve të ushtrisë izraelite, dhe e ka lavdëruar Hamasin, duke thënë se është një grup çlirimtar.

Si rezultat i operacioneve të kryera nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës, u konstatua se MOSSAD ofronte transferta parash për agjentët e saj në terren në Turqi, kryesisht nga vendet e Evropës Lindore, përfshirë Kosovën.

“U zbulua se agjentët në terren në Turqi po i përdornin paratë që merrnin nga MOSSAD në fushën siriane. Si rezultat i gjurmimit të parave, u konstatua se agjentët në terren në Turqi po i transferonin paratë që vinin nga Kosova përmes Western Union në burimet e tyre nëntokësore në Siri”, shkruan “Haberler”.

Gjithashtu u zbulua se agjentët në terren në Turqi po kryenin pagesa për burimet e tyre në Siri, duke përdorur kriptovaluta. Në maj, Turqia ndaloi të gjithë tregtinë me Izraelin dhe ka aplikuar që të bëhet pjesë e një rasti të gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.Rexhepi ishte nën vëzhgim që nga hyrja e tij në Turqi më 25 gusht, thuhet në deklaratën e MIT. Ai supozohet se ka lehtësuar transfertat financiare nga vendet e Evropës Lindore, kryesisht Kosova, te agjentët e Mossad-it në Turqi.

Në deklaratë thuhet se fondet e transferuara nga Rexhepi janë përdorur për mbledhjen e inteligjencës në Siri, kryerjen e operacioneve psikologjike kundër palestinezëve dhe koordinimin e operacioneve të lidhura me dronët. Rexhepi përdori shërbimet e transferimit të parave për të transferuar fonde në Turqi. Fondet iu shpërndanë operativëve në terren, të cilët, nga ana tjetër, kanalizuan një pjesë të parave në asete në Siri, shpesh duke përdorur kriptovaluta për këto transaksione, thanë burimet.