Financimi i partive politike në zgjedhje/ Celibashi: Duket se ka kujdes
Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka reaguar sërish sot në lidhje me financimin e partive politike në zgjedhje.
Celibashi shtoi se partitë Politike nuk duhet të demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë për të shpenzuar para. Megjithatë sqaroi se këtë vit palët kanë qenë më të përmbajtura.
“Rikonfirmoj gjithë angazhimin dhe seriozitetin lidhur me financimin e partive politike në përputhje me Kodin Zgjedhor, dhe mos pasur ndroje kur këto të fundit kanë problematika me financimin. Mendoj që do të jetë diçka ndryshe nga herët e tjera dhe duhet ta them që tej gjithë retorikës politike, duket që ka një lloj kujdesi për t’i respektuar këto rregulla për financimin e partive politike dhe transparencës për burimin e fondeve të fushatës.
Por as unë dhe as ju nuk e kemi iluzionin që kemi të bëjmë me ‘shenjtë’ kur vjen puna për paratë që duan të marrin dhe kërkojnë partitë politike.
Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri por kudo në botë. Ne si institucion mund të bëjmë më shumë për t’i bërë të përmbajtura që të mos demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore,”-tha Celibashi.