Finalja e ‘Ferma VIP’ zbulon anën më të ndjeshme të Luanës, ja çfarë i shkruajti nëna

Në finalen e “Ferma VIP 2”, emocione të mëdha nuk përjetuan vetëm fermerët që garuan për javë të tëra, por edhe Luana Vjollca, moderatorja dhe autorja e spektaklit, që i dha një frymë të re formatit.

Në një rrëfim të sinqertë, Luana zbuloi se ndodhej në një moment vendimtar të karrierës kur i erdhi propozimi për të drejtuar këtë format. “Isha gati të pranoja një projekt që nuk më frymëzonte. Por me ‘Fermën’ ndodhi ajo klikimi që të jep vetëm intuita – e ndjeva menjëherë që ishte sfida që po kërkoja,” – tha ajo.

E njohur për energjinë dhe përkushtimin që sjell në çdo projekt, Luana e pa këtë si një mënyrë për të rifilluar nga e para, për të eksploruar një hapësirë të re në televizion, por edhe brenda vetes. “Unë zgjedh gjithmonë t’ia nis nga e para, sepse aty gjendet rritja dhe kuptimi i vërtetë i çdo udhëtimi,” – u shpreh moderatorja.

Në këtë udhëtim emocional, një vend të veçantë zë familja, e në veçanti mamaja e saj, e cila i ka dhuruar një nga mesazhet më prekëse, që Luana e ndau publikisht me ndjekësit. Në bisedën e publikuar, mamaja e saj i shkruan:

“Jetoje sonte magjinë, dhuntinë që Zoti të fali, të udhëheq dhe të ruan, jeta ime… Ti punon fort dhe Zoti ta di shpirtin. Të adhuroj që pret nga vetja më shumë se askush tjetër. Kjo është arritja, thelbi i një femre që është vetvetja – dhe ti po e bën!”

Luana, e emocionuar, i përgjigjet:
“Te dua jetë, je frymëzimi im.”