Filmi i animuar “Ilira” i vitit 1983 rikthehet i restauruar në 4K – Rama ndan pamje nostalgjike
Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale disa pamje nga filmi i animuar shqiptar “Ilira”, një prodhim i vitit 1983 që tashmë është restauruar në cilësinë e lartë 4K.
Në postimin e tij, Rama thekson vlerat artistike të këtij filmi të animuar dhe përshëndet ndjekësit me një mesazh pozitiv për fundjavën:
“MIRËMËNGJES dhe me disa sekuenca të një prej filmave të animuar shqiptar ‘Ilira’, realizuar në 1983, tanimë i restauruar në 4K, ju uroj një fundjavë të mbarë.”
Restaurimi i filmit përbën një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, veçanërisht në fushën e animacionit, e cila ka pasur zhvillime të rëndësishme gjatë dekadave të kaluara.
Filmi “Ilira” është vlerësuar ndër vite për përmbajtjen artistike dhe vizuale, dhe rikthimi i tij në cilësi të lartë pritet të ngjallë interes si te brezat më të vjetër, ashtu edhe te të rinjtë që nuk kanë pasur mundësinë ta shohin më parë.