FIFA “mbulon” me flori Botërorin e Klubeve, ja sa do përfitojnë skuadrat
Botërori i Klubeve do të jetë ndër kompeticionet më të kushtueshme të futbollit.
Fakt që e konfirmojnë shifrat, me FIFA-n që për të joshur pjesëmarrësit ka garantuar shpërblime të majme. Sipas asaj që raportohet nga mediat botërore, skuadra kampione do të mund të përfitojë deri në 125 milionë milionë dollarë. Kualifikimi në mesin e 32 ekipeve më të mira në Botë vlen në bazë të performancës, por edhe kontinentit.
Klubet Europiane janë ato më të shpërblyerat, që do marrin nga 12 deri në 38 milionë dollarë, ndjekur më pas nga ato të Amerikës së Jugut, ato të Veriut, Azisë, Afrikës dhe Oqeanisë që marrin plot 3.3 milionë euro vetëm duke qënë pjesë e Botërorit të Klubeve.
Fitorja në fazën e grupeve vlen 2 milionë dollarë, 1 milion dollarë barazimi , teksa kalimi në raundin e 16 më të mirave shton edhe 7.5 milionë dollarë. Kualifikimi në çerekfinale shton 13 mln dollarë të tjera, me çmimin që rritet në 21 mln për skuadrat gjysmëfinaliste dhe 30 mln dollarë për finalistin.
Fituesi i kompeticionit do përfitojë një bonus prej 40 milionë dollarësh, për të përmbushur në këtë mënyrë jo vetëm vitrinën e trofeve por edhe arkat e klubit. Shifra të ngjashme me ato në Champions League, me ndryshimin e vetëm që kompeticioni Europian zgjat për gjithë sezonin, ndërsa Botërori i Klubit luhet në vetëm një muaj. Botërori i vitit 2025 për klube do zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 14 qershori deri më 13 korrik.